Anglia, epërsi të thellë ndaj Holandës, por së fundi ka humbje

Nuk mund të kishte short më të fortë për gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve. Flitet për elitën, pra nivelin A, ku Anglia u çiftua me Holandën dhe Portugalia me Zvicrën. Një nga këta katër ekipe do të fitojnë për herë të parë, trofeun e ri të kombëtareve të “dizenjuar” nga UEFA.

Shorti u hodh në Portugali, pasi ndeshjet do të luhen pikërisht në këtë vend iberik. Gjysmëfinalja e parë do të jetë Portugali-Zvicër në 5 qershor të vitit të ardhshëm në “Estadio do Dragao” të Portos. Holandë-Angli do të jetë në 6 qershor në stadiumin “D. Alonso Henrikes” në Gimaresh, pra kryeqyteti Lisbonë është lënë jashtë kompeticionit. Në 9 qershor, do të luhet ndeshja për vend të tretë, e po në 9 qershor, edhe finalja për titullin.

Anglia dhe Holanda janë ndeshur plot 33 herë, dhe anglezët kanë bilanc pozitiv me 14 fitore, 10 barazime e 9 humbje, si dhe golat 76-38. Gjithsesi, në 8 ndeshjet e fundit (që të gjitha miqësore), holandezët kanë 3 fitore, 4 barazime dhe vetë 1 humbje. Ndeshja e fundit zyrtare është luajtur në Euro 1996, në fazën e grupeve, fituar 4-1 nga Anglia në “Uembli”.

Sfidanti.al