Adios Atletiko! Godin largohet nga klubi spanjoll mes lotëve

Diego Godin i thotë lamtumirën Atletiko Madrid në fund të sezonit. Mbrojtësi uruguajan u shfaq këtë të mërkurë në konferencë për shtyp duke konfirmuar mes lotëve largimin e tij nga Los Colchoneros për t’u përgatitur për aventurën e tij të re me Interin.

‘Këto do të jenë ndeshjet e mia të fundit me fanelën e Atletiko Madrid-tha Godin në konferencën për shtyp ku të pranishëm ishin edhe presidenti Sereso, trajneri Simeone dhe shumë prej shokëve të tij të skuadrës-Ju falenderoj të gjithëve, kjo është familja ime’.

Në 9 sezone të aktivizimit të tij te Atletiko Madrid, Godin arriti të fitojë 8 tituj me madrilenët duke zhvilluar 387 ndeshje me 27 gola të shënuar dhe një lumë golash të mohuar për kundërshtarët. Ndeshja e tij e fundit me fanelën e Atletiko Madrid do ta luajë të dielën ndaj Sevijas në Wanda Metropolitano.

Destinacioni i tij tashmë dihet prej kohësh që do të jetë Interi ku Godin sipas Cadena Cope, do të firmosë për 3 vjet me një pagë prej 6.75 milionë Euro në sezon një pagë që është 35% më e lartë se ajo që përfitonte te Atletiko Madrid prej 5 milionë Eurosh në sezon.

sfidanti.al